|
“Policia dhe Qytetarët”
Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, QSHDNJ, ka përfunduar këto ditë botimin e ri “Policia dhe Qytetarët” me autorë, Arqile Kosta, Arben Nasufi, Nikoll Rica dhe Bajram Yzeiri. Ky botim me 255 faqe, synon t’u vijë në ndihmë qytetarëve të interesuar për njohjen dhe respektimin e ligjit, për bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe për të kontribuar përkrah saj në forcimin e sigurisë individuale, shoqërore dhe rendit publik në përgjithësi. Libri u vjen në ndihmë punonjësve të policisë, që kanë përgjegjësinë të shërbejnë në parandalimin e shkeljeve ligjore, hetimin e krimeve, forcimin e marrëdheneve me publikun, zbatimin e projekteve të policimit komunitar, si dhe menaxhimin e strukturave të ndryshme në Policinë e Shtetit.
Autorët e botimit e kanë hartuar atë në formën e një manuali praktik, me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, i lehtë për t’u përdorur nga strukturat e policisë por dhe publiku i gjerë. Nga njëri kapitull tek tjetri lexuesi gjen aspekte të veçanta të kësaj fushe, si parimet dhe praktikat themelore të mbajtjes së rendit dhe të sigurisë publike, në fushën e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut në veprimtarine e policisë, në luftën kundër krimit dhe zbatimit të ligjit, gjithmonë duke u bazuar në parimet universale të policimit demokratik dhe shtetit të së drejtës.
Botimi është finacuar nga FRESTA, në kuadër të Programit të Rrjetit Ballkanik për të Drejtat e Njeriut.
“Qytetarët dhe Policia”
Kështu titullohet librushka që u botua së fundi nga Qendra Shqiptare per te Drejtat e Njeriut, QSHDNJ, me autorë Shkëlqim Saço, Piro Lazi dhe Shpetim Mezini, mbështetur financiarisht nga FRESTA.. E konceptuar në një “format xhepi”, botimi synon të japë konbtribut në përmirësimin e komunikimit, ndërveprimit dhe respektit të ndërsjelltë mes qytetarëve dhe policisë.
Në kapitullin e parë “Ndërveprimi i qytetareve me policinë” shtrohen disa pyetje bazë për t’i freskuar lexuesit njohuritë se policia është një shërbim dhe agjensi publike, se veprimtria e saj bart dhe konfuzion dhe dilema, se policimi është një aktivitet kompleks , se shërbimi policor është i vështirë por jo i pamundur etj.
Në kapitullin e dytë “Kontaktet e policisë me qytetarët” jepen udhezime praktike në ushtrimin e të drejtave të një punonjësi policie, shoqëruar kjo dhe me reagimet e qytetarëve. P.sh në situatat kur kërkohet informacion për shkelje të ligjit, për ngjarje ose individë, kur vihen gjoba, kur kontrollohet identiteti i qytetarit, kur ushtrohet kontroll fizik, kur kontrollohen mjediset private, kur qytetari thirret në mjediset e policisë etj.
Duke përdorur si kredo thënien e urtë “Fjala e mirë hap portën e hekurt”, në kaptitullin e tretë trajtohen aspekte të komunikimit me mirësjellje mes punonjësve të policisë dhe qytetarëve, ndërkohe që në kapitullin e katërt jepen informacione të dobishme për rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e policies, ose në rastet kur ata kanë ankesa për punën e tyre.
Dy titujt e mësipërm jane vazhdë e një cikli botimesh cilësorë që janë realizuar më pare nga QSHDNJ-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit Publik, sic mund të përmenden: “Të Drejtat e Njeriut dhe Policia”, “Legjislacioni për Policinë e Shtetit”, “ABC e policimit” etj.
|